Konferencë e organizuar nga ETF për Njohjen e Mësimit Paraprak

Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) përfaqësuar nga Zj.Donjeta Nimani Binçe-Zyrtare e lartë për Njohjen e Mësimit Paraprak dhe z.Avni Gashi-Ekspert për sigurimin e cilësisë mori pjesë në eventin e organizuar nga ETF ku u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet e raportit lidhur me fazat e zhvillimeve qe lidhen me validimin e mësimit jo formal dhe informal/Njohja e Mësimit Paraprak (NjMP) në 16 Vende Partnere të ETF për periudhën 2021 deri në 2023.

Gjetjet përmbledhin zhvillimin e politikave, rregulloreve dhe praktikave dhe hedhin dritë mbi masën në të cilën shërbimet e NJMP janë të disponueshme dhe të përdorura nga individët. Webinari ishte një mundësi për të diskutuar aspektet pozitive, sfidat kryesore dhe faktorët që ndikojnë në avancimin e NjMP. Praktikat e përzgjedhura nga vendet partnere të ETF-së, shtetet anëtare të BE-së dhe projektet evropiane qe u prezantuan për të stimuluar reflektimin mbi hapat e mëtutjeshëm.

AKK në këtë event ishte e pjesë e panelit të diskutimit si dhe ka prezantuar lidhur me zhvillimet për infrastrukturën ligjore dhe strategjike dhe rreth implementimit të validimit të mësimit jo-formal dhe informal/NjMP që lidhen me akreditimin e institucioneve për të zbatuar NjMP në Kosovë, rolin dhe rëndësinë e përfitimeve nga kandidatët. Poashtu u prezantuan platformat elektronike të zhvilluara me qëllim të mbështetjes së institucioneve dhe kandidatëve.

Rezultatet e raportit, padyshim që ndikojnë në ndryshime pozitive në sistemin tonë arsimor duke vetëdijësuar edhe më shumë për mundësitë e ndryshme përmes të cilave njohuritë, shkathtësitë dhe kompetencat e fituara gjatë gjithë jetës të validohen nëpërmjet NjMP.

Shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga ky raport do të krijoj mundësi më të qasshme për individët në mënyrë që të njihen aftësitë dhe kompetencat e tyre, duke nxitur kështu një kulturë që vlerëson dhe respekton të gjitha format e të mësuarit.