Projektet e donatorëve
Në këtë pjesë paraqiten projektet që mbështesin zhvillimin e sistemit të kualifikimeve dhe kapaciteteve institucionale. Për secilin projekt publikohen qëllimi, partnerët, kohëzgjatja dhe rezultatet, së bashku me materialet publike të prodhuara gjatë zbatimit. Projektet ndahen në aktive dhe të përfunduara.
Bashkëpunimi ndërmjet AKK-së dhe projektit LuxDev KSV/021 për Njohjes së Mësimit Paraprak
Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK), në bashkëpunim me projektin e financuar nga Bashkimi Evropian, “Skills for Sustainable Jobs in Kosovo” (KSV/021), të zbatuar nga LuxDev, ka përmbyllur aktivitetet e parapara në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit (LoU), të nënshkruar më 18 korrik 2025, me fokus në mbështetjen e zbatimit të sistemit të Njohjes së Mësimit Paraprak (NjMP) në Kosovë.
Ky bashkëpunim kishte për qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe profesionale për zbatimin e NjMP-së, rritjen e vetëdijesimit të publikut dhe institucioneve për mundësitë që ofron ky proces, si dhe avancimin e mjeteve digjitale për akreditimin e institucioneve dhe para-regjistrimin e kandidatëve.
Gjatë zbatimit të aktiviteteve janë arritur disa rezultate të rëndësishme:
- Forcimi i kapaciteteve profesionale: Është realizuar vlerësimi i nevojave për trajnim dhe plani për zhvillimin e kapaciteteve, ndërsa 26 profesionistë të angazhuar në procesin e NjMP-së kanë ndjekur trajnime të dedikuara për koordinatorë, mentorë dhe vlerësues.
- Zhvillimi i dokumenteve profesionale: Është hartuar Manuali Praktik për Procesin e Vlerësimit në NjMP, i cili ofron udhëzime për procedurat e vlerësimit, përgjegjësitë e vlerësuesve dhe zbatimin e parimeve të sigurimit të cilësisë.
- Vetëdijesimi dhe informimi: Është zhvilluar Strategjia e Komunikimit për NjMP-në, e cila krijon bazën për informimin e kandidatëve, institucioneve zbatuese dhe punëdhënësve mbi mundësitë dhe përfitimet e njohjes së kompetencave të fituara përmes mësimit joformal dhe përvojës praktike.
- Avancimi i platformave digjitale: Janë përmirësuar funksionalitetet e sistemit të e-akreditimit dhe është mundësuar para-regjistrimi online i kandidatëve, duke përfshirë të dhënat relevante për identifikimin e nevojave dhe orientimin e kandidatëve drejt institucioneve përkatëse. Gjithashtu, janë zhvilluar manuale të përdorimit dhe janë realizuar trajnime për stafin e AKK-së dhe përdoruesit institucionalë.
Ky bashkëpunim përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në konsolidimin e sistemit të NjMP në Kosovë, duke krijuar kushte më të mira për njohjen dhe certifikimin formal të kompetencave të individëve të fituara jashtë arsimit dhe aftësimit formal.
AKK mbetet e përkushtuar në zhvillimin dhe sigurimin e cilësisë së sistemit të NjMP-së, në funksion të rritjes së mundësive për punësim, zhvillimit profesional dhe të mësimit gjatë gjithë jetës.
AKK shpreh mirënjohjen për projektin LuxDev KSV/021 dhe Bashkimin Evropian për mbështetjen dhe bashkëpunimin në avancimin e këtij procesi në Kosovë.
