Komunikatë për media

 

Prishtinë, 02 Gusht 2013

Komunikatë për media

 

Ka përfunduar procesi i parë i akreditimit të ofruesve të kurseve të gjuhës angleze

 

Me organizim të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve dhe në bashkëpunim me Këshillin Britanik, në ambientet e Qendrës së Studentëve në Prishtinë u mbajt konferenca për media, ku janë prezantuar rezultatet e procesit të akreditimit të kurseve private të gjuhës angleze në Kosovë.

Në këtë konferencë për media, Ragip Gjoshi, kryetar i Këshillit Drejtues të AKK, Ian Cliff, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar,  Teuta Danuza, drejtoreshë e Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, dhe Arjeta Emra, drejtoreshë e Këshillit Britanik, kanë shpalosur gjithë rrjedhën e procesit të akreditimit.
Fillimisht, R.Gjoshi ka folur për rolin dhe rëndësinë e Këshillit Drejtues të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve në procesin e akreditimit të ofruesve të kurseve të gjuhës angleze në Kosovë. Gjoshi ka theksuar se përfshirja e këtyre ofruesve për herë të parë nën ombrellën e sigurimit të cilësisë dhe vlerësimit të jashtëm të cilësisë nga një institucion publik i Republikës së Kosovës ishte rast i mirë për shtimin e kredibilitetit të mësimit të gjuhës angleze.

Ragip Gjoshi, në emër të Këshillit Drejtues të AKK, falënderoi Këshillin Britanik dhe Qeverinë angleze për mbështetje dhe potencoi se AKK ka bërë punë të madhe në ngritjen e cilësisë në Arsim dhe Aftësimin Profesional me ofrimin e shërbimeve cilësore dhe efikase për ofruesit e AAP në Kosovë.

Ndërkaq, në fjalën e tij ambasadori i Britanisë së Madhe, Ian Cliff, shprehu ndjenjën e privilegjit për faktin se kanë mbështetur AKK si institucion të ri në Kosovë dhe krijimi i sistemit të kualifikimeve në harmoni me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve është një hap në rrugën e gjatë drejt Bashkimit Evropian. Po ashtu, z. Cliff potencoi se ndihet i nderuar që Këshilli Britanik ka mbështetur AKK në aspektin profesional e jo atë politik.

Në vijim drejtoresha e AAK-së, Teuta Danuza, shprehu falënderimet e saj për Këshillin Britanik dhe Qeverinë angleze për përkrahjen dhe mbështetjen e ofruar ndaj AKK që nga themelimi në të gjitha aktivitetet, si në aspektin profesional po ashtu edhe në ngritje të stafit të AKK. Në vazhdim shpjegoi se bashkëpunimi i AKK dhe Këshillit Britanik ka filluar që nga viti 2009, ku fillimisht janë vendosur standardet e gjuhës angleze në përputhshmëri me Kornizën e Përbashkët për Gjuhë, në Kosovë, rezultat ky i punës gjithëpërfshirëse të palëve të interesit nga sektori i gjuhës angleze.
Procesi i akreditimit të kurseve ka filluar në shkurt dhe përfundoi në mars 2013, ku gjithsej janë bërë gjithsej 22 vizita. Kështu për vlerësimin e këtyre kurseve kanë qenë të angazhuar gjithsej 7 ekspertë të jashtëm, ku prej tyre 3 ekspertë ndërkombëtar dhe 4 vendorë.
Znj.Danuza po ashtu shpalosi listën e ofruesve, të cilët sipas vendimeve të Këshillit Drejtues të AKK-se janë akredituar:

- Agjencioni i Përkrahjes së Punësimit në Kosovë “APPK”, Prishtinë;
- “Britannica” ELT, Prishtinë;
- “London Eye”, Prizren;
- “New Age School”, me një nëndegë, Prishtinë;
- “Oxfrod Studio” me 10 nëndegë brenda Kosovës, 4 degë në Prishtinë, 2 degë në Gjilan, 2 degë në Prizren, 1 degë në Klinë, 1 degë në Istog dhe 1 degë në Gurrakoc;
- Qendra për Zhvillim dhe Trajnim – “PTK”, Prishtinë;
- “The Cambridge School”, Prishtinë;

*lista e emrave të ofruesve është sipas rendit alfabetik.

Znj. Danuza në fund u shpreh se tani e tutje ofruesit e kurseve të gjuhëve angleze të akredituar, bartin vulën e cilësisë përmes qëndrueshmërisë institucionale, mësimdhënësve dhe stafit të kualifikuar si dhe përmbajtjes cilësore të programeve ne përputhje me standardet e Kornizës Evropiane të Gjuhëve te Huaja.

Znj. Arjeta Emra, drejtoreshë e Këshillit Britanik për Kosovë, ka shprehur kënaqësinë për punën e AKK dhe theksoi se Këshilli Britanik do të vazhdojë mbështetjen dhe punën e përbashkët me AKK me qëllim që të mbështesë kurset e akredituara për plotësimin e kushteve dhe rekomandimeve të dala nga vlerësimi i AKK. Po ashtu, Këshilli Britanik gjatë muajve të ardhshëm do të filloj me metodologjinë që do të përdoret në e mësimdhënien e gjuhës angleze në kurse dhe shkolla që të jetë në përputhshmëri me Kornizën e Përbashkët Evropiane të Gjuhëve.

 

Me respekt,
Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve