Ministrat Hoxhaj, Rashiq dhe Beqaj: Korniza Kualifikimeve, dokument i rëndësishëm për Kosovën

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Autoriteti i Kualifikimeve të Kosovës së bashku me Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian kanë promovuar sot Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve, proces i cili është përkrahur nga projekti EU KOSVET V.

Korniza Kombëtare e Kualifikimeve do të sigurojë që kualifikimi për secilin profesion të përcaktohet qartas në përputhje me njohuritë, shkathtësitë dhe kompetencat e gjëra, të cilat janë të nevojshme për një kualifikim profesional që është në pajtueshmëri me kualifikimet evropiane.

Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, tha se Korniza Kombëtare e Kualifikimeve është një hap shumë i madh për Kosovën, meqë njohuritë, dijet dhe shkathtësitë, që marrin nxënësit dhe qytetarët, mund të pranohen dhe janë të barasvlefshme me vendet e tjera të Bashkimit Evropian.

"Qëllimi jonë kryesor është që ta kemi një sistem arsimor, i cili mbi të gjitha i shërben rritjes ekonomike dhe tregut të punës, që ta kemi një sistem arsimor divers dhe plural për nga programet që ofron dhe për nga nivelet e arsimimin që ofron, dhe mbi të gjitha fusha e arsimit dhe aftësimit profesional, që është kyçe për zhvillimin ekonomik, niveli i mesëm i lartë, t'i shërbejë çdo të riu, çdo qytetari, që ai realisht të marrë dije, shkathtësi, që përkthehen në certifikata të caktuara, të cilat mund të pranohen brenda sistemit tonë arsimorë."

Ministri Hoxhaj, theksoi se nga sot Qeveria e Kosovës, përmes Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, formojnë një sistem, që përfshinë arsimin dhe aftësimin dhe që u mundëson të rinjve të marrin grada dhe nivele shkollore.

Përfaqësuesi i zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Kjartan Bjorson, tha se asnjë shtet nuk mund të mbijetojë pa njerëz të kualifikuar dhe përmes këtyre kualifikimeve qytetarët bëhen më aktiv.

"Është me rëndësi që sistemi arsimor të mund të akomodojë të gjitha këto kërkesa të caktuara. Pra sistemi duhet të jetë aq fleksibil për të mundësuar një mobilitet apo lëvizshmëri qoftë brenda Kosovës apo edhe në vendet e tjera në Evropë. Me këtë sistem bëhet i mundur që niveli i aftësimeve të mund testohet. Ky është një hap i madh dhe në përputhje me zhvillimet dhe veprimet, në kuadër të Bashkimit Evropian."

Ndërkaq, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, tha se në Kosovë janë rreth 335 mijë punëkërkues, ku prej tyre 208 mijë janë me shkollë fillore. Ai tha se janë vetëm 8 qendra për aftësime profesionale, përmes të cilave vetëm 2 për qind e të papunëve mund të aftësohen. "Prandaj, ky është një hap i domosdoshëm për të përmirësuar këtë gjendje. Unë e përkrah fuqishëm sot këtë akt dhe jam i sigurt që në të ardhmen kjo do të jetë e vetmja mënyrë me të cilën ne mund të ndërtojmë ardhmërinë e Kosovës".

Besim Beqaj, ministër i Integrimeve Evropiane tha se krahas procesit të integrimit të Kosovës, duhet të përgatitemi edhe integrimin ekonomik. "Ajo çka e bën ekonominë konkurruese është individi i trajnuar mirë me standarde evropiane, pra sipas Kornizën së Kualifikimeve".

Teuta Danuza, drejtoreshë e Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve foli për rolin që ka ky Autoritet. "Autoriteti së bashku me Kornizën e Kualifikimeve përbëjnë edhe sistemin e kualifikimeve kombëtare", tha ajo.

Autoriteti i Kualifikimeve të Kosovës, do të merret edhe me akreditimin e institucioneve, që do të zhvillojnë kualifikime. Gjatë vitit 2009, me mbështetje të Komisionit Evropian, është themeluar dhe funksionalizuar Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, është hartuar edhe Korniza Kombëtare e Kualifikimeve, që ka 8 nivele, të cilat i referohen Kornizës Evropiane të Kuaifikimeve.